Iniciativa e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri ka si qëllim të sigurojë mësimdhënien e qëndrueshme në te gjithë vendin, garantimin e cilësisë në arsim nëpërmjet angazhimit të te rinjve dhe të rejave që kanë mbaruar studimet e tyre në fushën e mësimdhënies, dhe që, pavarësisht burokracive dhe pengesave të shumta, nuk e kanë humbur shpresën se një ditë do të kontribuojnë në fushën për të cilën kanë investuar.
Synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është që:
Në këtë nismë të përfshihen mësuesit e sapo diplomuar në mësim-dhënie, mësues që punojnë me kohë të pjesshme si dhe mësues të cilët janë prej kohësh në listat e pritjes pranë çdo drejtorie dhe zyre rajonale.
Kjo nismë do të krijojë mundësi për të rinjtë të cilëve do t’u ofrohen mundësi reale punësimi dhe përfitimi të eksperiencave pozitive në drejtim të mësimdhënies. Angazhimi i tyre si mësues në zonat ku ata aplikojnë ose në komunitetet në nevojë i shërben pozitivisht çdo individi, por edhe vetë shoqërisë duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë në arsim në komunitetet në nevojë si dhe në ndryshimin e mentalitetit të kërkuesve të punës në arsim.
Kjo iniciativë fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë online në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe të bëhen pjesë e kësaj iniciative konkurruese objektive ndërmjet brezave. Çdo individ i interesuar mund të aplikojë dhe menjëherë ai bëhet pjesë e një gare konkurruese që bazohet në meritokraci reale.
Të gjithë kandidatët e interesuar do të gjejnë të gjithë informacionin e kërkuar në rubrikat e këtij portali, i cili do të evidentojë në kohë reale statistika të një procesi në vijim deri në ditën e testimit të këtyre kandidatëve.
Nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” do të publikohen për çdo Drejtori Rajonale jo vetëm kërkesa të punësimit për çdo kurrikul, por edhe statistika të rezultateve të arritura të rankuara në bazë të pikëve të përfituara në testimin përkatës
Qeveria Shqiptare, nëpërmjet një nisme të tillë, dëshiron:
-Të krijojë profesionistë të rinj të dedikuar në arsim.
-Të investojë për udhëheqësit e të ardhmes.
-Të gjenerojë energji të reja për komunitetin për ndryshim progresi.
Qëllimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është të ngrejë interesin e brezit të të rinjve të sapo diplomuar në mësim-dhënie, si një profesion jo vetëm shumë human dhe i vlerësuar në komunitet, por si një profesion që mund të sjellë ndryshimin përpara në shoqërinë shqiptare.